Historia e futbollit shqiptar dergjet në Inferiore, 7 klube mes ringritjes dhe ekzistencës

Vitet e fundit në futbollin shqiptar ka pasur shumë lëkundje, madje ekipet historike që askush nuk e mendonte se do të binin, provuan edhe nivelet më të ulëta, duke filluar që me Partiznain, Tiranën, apo dhe Elbasanin, Vllazninë, Besën, Tomorin e ndonjë tjetër.

Një Superiore me 10 ekipe, natyrisht që “tkurr” edhe hartën e futbollit të elitës, e megjithatë, vitet e fundit kanë marrë pjesë shumë ekipe që kanë qenë kalimtare, si: Tërbuni, Korabi, Kastrioti e ndonjë tjetër…

Po t’i hedhësh një sy Inferiores, aty gjen një copëz të madhe të hartës së elitës së futbollit shqiptar. Që nga Vllaznia që po rikthehet, Dinamo e rropatur dhe duke përjetuar kriza të mëdha madje edhe financiare, pasi e kanë lënë pa shtëpi, apo dhe Besa e Kavajës, Lushnja, Apolonia, Tomori e Elbasani që ekziston vetëm si emër sepse po ta shohësh nga ajo që prodhon në fushë, nuk trashëgon asgjë nga skuadra e tradita e dikurshme.

Janë shtatë klube, që vitet e fundit kanë qenë një kaos total, e natyrisht, pa një Vllazni apo Dinamo, pa Besën apo Apoloninë e Besëlidhjen, edhe cilësia në Superiore do të mungojë, ashtu si edhe ka ndodhur dhe po ndodh rëndom vitet e fundit, sepse tradita e futbollit shqiptar po venitet…Traditat tashmë ekzistojnë vetëm si ajo shprehja e famshme, “na ishte një herë…”.

E.Saliu/Vipsport.al/