Greqia publikon listën, Fiorin Durmishaj mbetet jashtë

Kombëtarja e Greqisë ka publikuar ditën e sotme listën për fushatën eliminatore të Europianit 2020, por ajo që bie në sy është fakti se aty mungon Fiorin Durmishaj, për të cilin aq shumë është folur ditët e fundit.

Në fakt, mungesa e sulmuesit në listë vjen sepse Durmishaj më herët është aktivizuar me përfaqësuesen U21 të Shqipërisë. Mirëpo, 22-vjeçari së fundmi zhgënjeu të gjithë në ambientin e Kombëtares duke pranuar ftesën e Greqisë.

Në këtë mënyrë duke qenë se Durmishaj është aktivizuar me shpresat e Shqipërisë, atëherë lojtari duhet të pajiset me një dokumentacion nga Federata Shqiptare në mënyrë që të vazhdojë aktivizimin rregullisht me Kombëtaren helene.

Mesa duket ka filluar një luftë e ftohtë mes federatave, teksa ajo shqiptare nuk ka hapur rrugë për të krijuar lehtësira në rastin në fjalë. Në këtë mënyrë, Durmishaj duhet të presë ende që të aktivizohet me ekipin grek, ndërsa dy ndeshjet e para eliminatore mund t’i shohë vetëm nga ekrani i televizorit. /Egi Çabeli-VipSport.al/