Gavazaj kalon provën në Bjellorusi, firmos me Dinamo Minsk

Futbollisti i përfaqësueses shqiptare, Enis Gavazaj është shndërruar në futbollistin më të ri të skuadrës Dinamo Minsk. Gavazaj ka firmosur zyrtarisht në kampionatin Bjellorus, ndërsa në të njëjtin kampionat aktivizohet dhe sulmuesi Elis Bakaj.

Në fakt, kosovari prej disa javësh ishte në provë te Minsku, me skuadrën që po kryente fazën përgatitore pasi kampionati Bjellorus ende nuk ka filluar, por mesa duket sulmuesi anësor, falë cilësive, ka bindur stafin teknik të Dinamos, duke nënshkruar deri në fundin e sezonit. Gavazaj më parë ishte pjesë e skuadrës së Jenisei në Rusi, teksa ishte i huazuar nga Skënderbeu, i cili vazhdon të jetë në pronësi të kartonit të 23-vjeçarit.

Ndërkohë, lajmin për zyrtarizimin e marrëveshjes e ka deklaruar vetë klubi i Dinamo Minsk, nëpërmjet një postimi në Facebook. ” Urojini fat dhe mirëseardhjen lojtarit më të ri në klub”, shkruhej në postimin e skuadrës Bjelloruse. /Egi Çabeli-VipSport.al/