Garancia e Lacios, Strakosha e ka të “ndaluar” të mungojë

Tomas Strakosha është shndërruar në një faktor për skuadrën e Lacios. Portieri i Kombëtares Shqiptare, që prej momentit kur u kthye në një titullar, me paraqitjet e tij ka arritur të bindë të gjithë ambientin kryeqytetas për aftësitë, ndërsa në ndeshjen e fundit të kampionatit edhe pse pati një shqetësim fizik, sakrifikoi  për të zbritur rregullisht në fushë.

Pikërisht, mbi këtë temë e ka nisur komentin e saj një nga gazetat më të mëdha në gadishullin Apenin, “Gazzeta Dello Sport”, e cila ka vlerësuar si një nga garancitë më të mëdha të skuadrës laciale. “Edhe pse pati një shqetësim nga ndeshja e fundit më Romën, ndërkohë që dhe portieri i dytë i skuadrës ishte gati, sërish Strakosha u rikthye, duke mos humbur asnjë minutë nga ky sezon, njëjtë si vitin e kaluar.

Një garanci e besueshmërisë dhe vazhdimësisë. Pikë fikse e formacionit të Inzagit, që pasi e ka njohur në primaverën e ekipit, nuk hezitoi t’i besonte dhe në Serinë A. Para dy viteve, mori vendin e titullarit, pavarësisht se në ekip ishte Marketi.  Strakosha, djali i Fotos, i cili gjithashtu ishte portier, dhe tani përgatitës portierësh te Olimpiakos, ishte një surprizë e bukur, kur zbriti titullar në ndeshjen ndaj Milanit. Ishte pikërisht Inzagi, që i dha besim pas një periudhe “gri” te Salernitana”, thuhej në përshkrimin e “Gazzeta Dello Sport”. /Egi Çabeli-VipSport.al/