Gabimi kuqezi i De Biazit kthehet në “shtëpi”, vazhdon karrierën në vendin ku mori famë

Xhani De Biazi do të mbetet gjithmonë në kujtimin  tifozëve shqiptarë si tekniku i cili bëri realitet ëndrrën kuqezi me kualifikimin historik në një turne madhor. Por edhe në rrugëtimin e tij drejt Euro 2016, jo gjithçka ishte normale dhe pa ngjarje e sidomos grumbullime të çuditshme e të gabuara me përfaqësuesen. Një nga çuditë më të mëdha me fanellën kuqezi mbetet paraqitja e shkurtër e Agon Mehmetit, i cili regjistron tre ndeshje në aktivitete zyrtare me Shqipërinë dhe një karrierë që nuk përputhet kurrsesi me nivelin e përfaqësueses.

Mehmeti ishte një nga të grumbulluarit e De Biazit në edicionin e tij të parë në drejtimin e Shqipërisë, në eliminatoret e Botërorit 2014. Ish-sulmuesi i U21 të Suedisë zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë dhe luajti disa minuta  në ndeshjet zyrtare ndaj Sllovenisë, Zvicrës dhe Qipros në vitin 2013, e më pas nuk u grumbullua më nga trajneri i kuqezinjve.

Nuk kishte si, pasi karriera e tij në vijim nuk ishte nga më të shndritshmet, sepse ndryshoi klub pas klubi, duke mos gjetur vendin e tij në skuadra si Olhanense, Malmo, Stabaek, Gençlerbirligi apo Oksford. Në fund, ai ka vendosur që të kthehet përsëri në Suedi, ku ka kaluar vitet më të mira të karrierës dhe ku u bë i famshëm në moshë të re me Malmo. Sulmuesi 29-vjeçar ka firmosur me Orebro për këtë sezon dhe shpreson të ringjallë karrierën e tij atje.

“Është një ndjesi e mirë, kjo është ajo që kërkoja dhe duket si hapi i duhur për karrierën. Unë kam ardhur në nëjjklub që e shoh si familje”, tha Mehmeti për kthimin në Suedi. /vipsport.al/