FOTO / Skandali i Kamzës dhe fjalët e Xhelal Mziut, bujë në mediat ndërkombëtare

Skandali i ndeshjes Kamza-Laçi ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare të cilat kanë pasqyruar në vazhdimësi ngjarjen që pas dhunimit të gjyqtarit kryesor Eldorjan Hamiti, aq më shumë për faktin se ai mban edhe stemën e FIFA-s. Mediat nga i gjithë rruzulli tokësor, duke filluar nga fqinjët si Italia e Greqia, për të vazhduar me mediat zvicerane, polake, hungareze e më prestigjiozet spanjolle si “AS “ e “Mundo Deportivo”, deri në mediat e Amerikës së Jugut, kanë shkruar për këtë ngjarje gjatë ditës së fundit.

Portale të ndryshme braziliane apo edhe kiliane, falë pranisë së Sebastian Toro në këtë sfidë, kanë bërë të ditur se çfarë ka ndodhur në atë sfidë, ndërsa kanë treguar edhe si rrodhën ngjarjet, me përjashtimin e mëtejshëm të Kamzës dhe vendimin e gjyqtarëve për të bojkotuar kampionatin dhe ndaljen e futbollit në vendin tonë.

Ndërkohë, ajo që bie në sy është se pjesa më e madhe këtyre mediave i kanë dhënë jehonë edhe fjalëve të kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, i cili kritikonte gjyqtarët si shkaktarët kryesorë të kësaj ngjarje. Intervista e dhënë të mërkurën për Vip Sport pasqyrohej në këto media duke cituar pjesën se ky ishte dënimi më skandaloz i dhënë në 30 vite demokraci. /vipsport.al/