Evra zbulon mesazhet me Ronaldon para ndeshjes me Atletikon, CR7 e kishte parashikuar përmbysjen

Kristiano Ronaldo shpeshherë gjatë karrierës së tij e ka treguar se nuk është nga ata futbollistë që dorëzohen. Portugezit i pëlqen të luftojë deri në fund, ndërsa me vullnetin e tij ia ka dalë të shndërrohet në atë çfarë përfaqëson sot në elitën e futbollit botëror. Kjo vërtetohet më së miri edhe në ndeshjen e fundit të Ronaldos, ku luzitani nuk bëri hapa pas, por mori përdore Juventusin pas disfatës 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Atletiko Madrid.

34-vjeçari gjithmonë kishte besuar te përmbysja dhe këtë e vërtetojnë mesazhet e shkëmbyera me ish-futbollistin e Mançester Junajtid dhe Juventus, Patris Evra 5 ditë para ndeshjes. Ka qenë francezi ai i cili i ka publikuar bisedat në të cilat Ronaldo shprehej i sigurt te përmbysja.

“Do të kalojmë miku im, është e sigurt, në shtëpi do t’i shkatërrojmë”, shkruante i vendosur Ronaldo. Ndërkohë që Evra i përgjigjej,”Kështu po, rroftë Ronaldo”. Evra,  më pas nuk nguruar t’i thur lëvdata 5 herë fituesit të Topit të Artë, duke e cilësuar si futbollistin më të mirë të botës.  /Egi Çabeli-VipSport.al/