Emrat / Një vit e gjysmë kot për revolucionin që nuk ekziston, Panuçi mban lojtarët e Euro 2016

Prej më shumë se një viti e gjysmë, që kur në drejtimin e përfaqësueses shqiptare është emëruar Kristian Panuçi, fjala që është dëgjuar më shpesh nga tekniku i kuqezinjve ishte ajo e revolucionit në ekip, si në lojë, ashtu edhe në emra. Trajneri insistoi që në fillim të provonte lojtarë të rinj për të bërë ekipin më të denjë për pretendime të larta dhe për këtë arsye, FSHF pranoi që të sakrifikoheshin si eliminatoret e mbetura të Botërorit 2018, ashtu edhe miqësoret apo Liga e Kombeve gjatë vitit 2018 me dështimet që pasuan njëri-tjetrin.

Por përfundimi pas këtyre 14 ndeshjeve në drejtimin e Panuçit është se revolucioni në fjalë nuk ekziston përveçse në deklaratat që dalin nga zyrat e FSHF-së dhe se pavarësisht listave të mbushura me të rinj, trajneri i është kthyer përsëri grupit të De Biazit si shpresa e vetme që duket se ka për të siguruar rezultate pozitive. Kjo kuptohej më qartësisht nga lista e publikuar për ndeshjet kundër Turqisë dhe Andorrës.

Në listën e Panuçit janë të pranishëm 14 nga 23 futbollistët që shkuan në Francë thuajse 3 vite më parë. Kjo listë në fakt do të ishte më e madhe, nëse Roshi dhe Çikalleshi nuk do të ishin të dëmtuar, pasi qartësisht Panuçi i ka pjesë të planeve të tij, ashtu si edhe kapitenin Mavraj i cili aktualisht vuan pezullimin për kartonin  kuq ndaj Skocisë.

Po t’u shtosh këtyre lojtarëve edhe emrat e Canës dhe Shehit që janë tërhequr nga futbolli, rezulton se revolucioni i trajnerit, në krahasim me ata që shkuan në Europian kufizohet në vetëm 4 futbollistë dhe nuk është çudi që shumë shpejt të paktën një prej tyre të kthehet në ekip.

Jashtë mbeten ish-kapiteni Agolli, i larguar nga vetë tekniku, Kukeli i cili nuk po luan rregullisht as me klubin për shkak të një dëmtimi që ka zgjatur thuajse një vit, Gashi i cili është harruar që në kohën e De Biazit kur zgjodhi të shkonte në SHBA dhe Lenjani. Ky i fundit ishte mungesa surprizë në këtë grumbullim, meqë po luan rregullisht me klubin e tij dhe nuk është çudi që të jetë pjesë e kuqezinjve në ndeshjet e qershorit.

Ndaj duke parë këtë listë emrash, me të drejtë shumëkujt i lind pyetja: Për çfarë u çuan dëm kot një vit e gjysmë dhe 14 ndeshje ku përfaqësuesja shqiptare kujtohet vetëm për zhgënjime? /vipsport.al/