Duro për Vipsport: Pa Skënderbeun e vjetshëm, prisja më shumë rivalitet për titullin

Po afron fundi i fazës së tretë të kampionatit dhe në Superiore gjërat po marrin drejtim gradualisht. Partizani kryeson me 9 pikë nga vendi i dytë dhe titulli duket shumë pranë, edhe pse në lojë janë edhe shumë pikë. Për zonën europiane janë disa skuadra në garë dhe mbetet të mësohet edhe ekipi i dytë që do të bjerë nga kategoria, pas Kamzës së përjashtuar nga aktivitetet.

Në një prononcim për “Vipsport.al”, trajneri i njohur kryeqytetas, Shpëtim Duro, thotë se këtë kampionatin, ku mungon Skënderbeu i fortë i viteve të fundit, e priste me më shumë rivalitet sa i takon garës së titullit kampion:

“Ky kampionat është pak më ndryshe, më i lehtë se sezonet e fundit, sepse nuk kemi Skënderbeun e vjetshëm, atë ekipin e fortë që ishte pretendenti kryesor për titullin kampion. U pa që në fillim që nuk do të ishte ai Skënderbe i fortë, ndaj dhe të tjerët e kanë pasur më të lehtë.

Të them të drejtën, prisja më shumë nga disa skuadra pretendente, siç e thashë, duke qenë se Skënderbeu nuk është më ai i mëparshmi. Prisja më shumë nga Kukësi, Teuta dhe Flamurtari, që të ishin më pranë Partizanit me pikë në garën e titullit kampion dhe të shihnim një kampionat më të fortë”, – ka thënë Duro, i cili, pas aventurës në Vlorë, drejtoi Dritën në Kosovë. / Vipsport.al