Drejtuesit e Luftëtarit tërhiqen, Aleksit do t’i paguhet dënimi për ndeshjen e radhës

Albano Aleksi ka luajtur si titullarë në miqësoren e sotme me Bylisin. Dënimi që ai mori në ndeshjen në kampionat, të zhvilluar 4 javë më parë ndaj Teutës, duket se i ka kushtuar edhe një dënim prej 4 javësh nga Komisioni i Disiplinës. Por, duket se ka pasur edhe një krisje të marrëdhënieve mes Aleksit dhe drejtuesve të klubit bluzi, dhe duket se shkak është bërë kontrata.

Aleksi del i lirë në fund të këtij sezoni, ndërsa drejtuesit duan që ta mbajnë edhe sezonin e ardhshëm. Nga sa bëhet e ditur, për të ka pasur edhe një masë, mirëpo duket se sot ai është parë me skuadrën e parë dhe duket se gjithçka është qetësuar. Mesfushori fierak, një nga më të mirët në dy sezonet e fundit dhe nga lojtarët më stabël te Luftëtari pritet që të jetë gati ndaj Skënderbeut.

Siç bëhet e ditur, pritet që klubi të paguaj që Aleksi të luajë në ndeshjen e radhës në kampionat, ndonëse atij i duhet që të shlyejë edhe dy ndeshje, por duke qenë se kanë një sfidë jetike si ajo me Skënderbeun, klubi do të detyrohet që të paguajë, pasi është kaluar gjysma e dënimit disiplinor.

E.S./Vipsport.al/