Dështuan me nigerianët, në Shkodër kujtohen për të rinjtë, trajneri Lika hedh sytë nga U-19

Vitet e fundit të rinjtë e talentuar të dalë nga Akademia “Vllaznia” janë lënë në harresë, ndonëse janë cilësuar si talente, janë detyruar që të “shtegëtojnë” duke luajtur në Kategorinë e Parë dhe të Dytë apo dhe në Superiore me ekipet e tjera. Por duket se këtë sezon po ndodh ndryshe.

Trajneri Hasan Lika i ka afruar në skuadrën e parë dhe pritet që t’iu jap hapësira në ndeshjet e radhës. Vetë Lika thekson se skuadra ende nuk e ka siguruar objektivin, por duke parë edhe luksin dhe distancën në pikë me vendin e dytë, që është plot 8 pikë, trajneri kryeqytetas i shkodranëve do të aktivizojë në javët e mbetura disa elementë me të ardhme.

Portieri shtatlartë dhe i talentuar Shkoza është afruar të stërvitet në skuadrën e parë ashtu edhe i riu 18-vjeçar, Uheid Hoxha që luan si mesfushor dhe një nga më të spikaturit e skuadrës U-19. Por, pritet që të ketë më shumë hapësira edhe për Belajdi Pusin që në miqësore ka shënuar. Pasi dështuan me nigerianët që ende nuk kanë treguar asgjë për kuqeblutë, në Shkodër tashmë po mendojnë seriozisht për lojtarët e talentuar vendas…!

E.S./Vipsport.al/