Derbi sjell pasoja për Interin, tifozeria zikaltër dënohet për sjelljen raciste

Interi triumfoi këtë fundjavë në derbi ndaj Milanit, teksa i mposhtën kuqezinjtë me rezultatin 3-2. Si gjithnjë stadiumi “San Siro”, ishte i gjithi i ezauruar, me tifozerinë që krijoi spektakël në tribuna.

Por, sjella e tifozerisë zikaltër nuk ishte nga më të mirat, teksa në minuta të veçanta të ndeshjes janë dëgjuar thirrje raciste në drejtim të mesfushorit të Milanit, Frank Kesi. Për pasojë, komisioni i disiplinës në Itali ka vendosur të dënojë me 1 ndeshje jashtë stadiumit, pjesën e ultrasve të cilët në këtë formë nuk do të mund ta përkrahin skuadrën në ndeshjen e ardhshme të kampionatit atë ndaj Lacios.

Sakaq, ka pasur edhe një paralajmërim, në rast përsëritje të situatave të njëjta, atëherë dënimi do të jetë më i ashpër. Ndërkohë që edhe klubi i Milanit ka marrë një ndëshkim prej 10.000 eurosh për sjelljen e gabuar të tifozerisë.  /Egi Çabeli-VipSport.al/