Derbi një tabu për Milanin, kuqezinjtë 3 vite pa triumfuar ndaj rivalëve të qytetit

Këtë fundjavë në Serinë A, vëmendja maksimale do të jetë e gjitha mbi derbin e Madoninës, mes Milanit dhe Interit. Një sfidë që mund të përcaktojë shumë për fatet e sezonit në objektivat e dy ekipeve për t’u kualifikuar medoemos në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Në pamje të parë duket sikur Milani, vjen në këtë sfidë më i favorizuar, jo vetëm nga klasifikimi në kampionat, por edhe ambienti në skuadër është pozitiv, në krahasim me rivalët e Interit, të cilët po kalojnë një periudhë të vështirë në ambientin zikaltër që është pushtuar nga kriza mes klubit dhe kapitenit Ikardi.

Por, gjithsesi, Milani nuk  ka arritur te triumfi prej 3 viteve ndaj rivalëve të qytetit. Ishte sezoni 2016 dhe në atë periudhë Milani fitonte 3-0, ndërsa në krye të stolit ishte Sinisha Mihajloviç. Prej atij momenti sukseset e kuqezinjve u ndalën, megjithatë, këtë herë “djalli”, do të hedhë në fushë kartën e cila në fund të ndeshjes mund të rezultojë vendimtare. Kristof Piotek, sulmuesi i afruar në merkaton e janarit, i cili duket sikur vesh prej vitesh fanellën e Milanit, mund të jetë futbollisti i duhur për të ndryshuar balancat e derbit të Madoninës. /Egi Çabeli-VipSport.al/