De Biazi: Situata e Hysajt? Unë zemërohesha kur e drejtoja te Shqipëria

Xhani De Biazi është një nga personat që ka besuar më shumë te Elseid Hysaj, duke i besuar atij një fanellë në përfaqësuese që në moshën 19-vjeçare e më pas duke e kthyer shpejt në një prej emrave më të paprekshëm në rreshtimin e kuqezinjve. Por nëse në periudhën e De Biazit Hysaj shkëlqeu edhe në klub duke qenë i paprekshëm te Napoli, aktualisht situata ka ndryshuar dhe ai po vuan dualizmin me francezin Malkuit që u afrua gjatë verës.

Për De Biazin, kjo situatë mund të shihet në dy mënyra të ndryshme, pasi ai vetë mendonte se në periudhën kur Hysaj ishte titullar i paprekshëm në klubin italian, ndoshta do të kishte pasur nevojë disa herë që të bënte pushim.

“Sa herë e kam vuajtur unë këtë situatë! Kur e thërrisja unë, ai luante sistematikisht me Sarrin, në fakt zemërohesha sepse shpresoja që herë pas herë ai ta linte të pushonte!”, theksoi De Biazi për mediat italiane duke kujtuar vitet e tij si kuqezi.

“Por mendoj se menaxhim i Ançelotit është i mirë, ka mundësinë që të hedhë në fushë gjithmonë lojtarë të freskët. Është e qartë se vazhdimësia do t’i jepte diçka më shumë, por pastaj të heq freskinë atletike. Napoli po ndërton një grup të mirë lojtarësh të rinj dhe të perspektivës, ndaj mund vetëm të përmirësohet që nga sezoni i ardhshëm”, ishin fjalët e De Biazit. /vipsport.al/