Çan mbron Ronaldon për gjestin: Pas festës së Simeones, ishte i autorizuar ta bënte!

Gjatë një interviste për “Bild”, Emre Çan, mesfushori i Juventusit dhe Gjermanisë, ka folur edhe për shokun e ekipit Kristiano Ronaldo, të cilit i ka dalë në mbrojtje për gjestin e festës së golit në Champions.

“Nuk dua ta komentoj gjestin e ndeshjes me Atletikon. Pas asaj që bëri Simeone në ndeshjen e parë, një si Ronaldo, duke parë paraqitjen e tij, është i autorizuar t’i përgjigjet dhe të festojë si të dojë. Të gjithë në stadium e dinin se kujt i adresohej ai lloj festimi.

Ndihem shumë mirë me të dhe jam lumturuar për tripletën e tij, sepse në ndeshjen e parë nuk ishte e lehtë për Ronaldon. Dëgjova shumë fjalë të këqija dhe më vjen mirë që ai e dha përgjigjen në fushë. Ajo tripletë e tij është e pabesueshme. Ronaldo është një tip shumë i qetë, me këmbët në tokë. Më impresionon shumë, sepse nuk është mendjemadh.

Është i pari që përshëndet dhe falënderon për çdo gjë. Dhe nuk sillet kështu vetëm me shokët, por me të gjithë. Njerëzit surprizohen kur shohin se sa normal është”, – ka thënë mesfusori gjerman i Juventusit, Emre Çan. / Vipsport.al