Bejl i dëmtuar te Reali, por konfirmon grumbullimin në Kombëtare

Garet Bejl është një nga ata futbollistë që rikthimin në stol të Zinedin Zidan nuk e ka pritur krah hapur. Në fakt, uellsiani ishte një nga arsyet që detyruan teknikun francez të largohej në fundin e sezonit të kaluar pasi kërkonte që klubi të largonte Bejl nga skuadra. Megjithatë, 29-vjeçari nuk kishte ndonjë marrëdhënie të jashtëzakonshme edhe me ish-teknikun Solari, i cili nuk e ka konsideruar si titullar, teksa uellsiani nuk ka arritur të shfaqë më të mirën prej dëmtimeve të njëpasnjëshme.

Pikërisht prej dëmtimit, Bejl nuk ishte i gatshëm në sfidën e fundit ndaj Vajadolidit në kampionat, mirëpo ajo që ka ndezur polemikat është fakti se futbollisti ka dhënë miratimin për t’u grumbulluar rregullisht me skuadrën.

Ndërkohë që edhe trajneri i Uellsit, Rajan Gigs, ka nxitur reagime pasi u shpreh se Bejl në Kombëtare është një shembull për të gjithë, dhe jep gjithnjë 100% nga vetja, i cili nënkuptoi  se forma e dobët e Bejl te Reali, është për faj të klubit. /Egi Çabeli-VipSport.al/