Ardian Ismajli iu bën thirrje futbollistëve: Bëni gjithçka për Kombin tuaj, shkojmë në Europian

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga fillimi i ndeshjeve kualifikuese për në Europianin e vitit 2020, futbollistët kanë marrë ftesat e tyre dhe së shpejti pritet që të grumbullohen për të luajtur me Kombëtaren. Një prej tyre që ka marrë ftesën dhe do të jetë me Shqipërinë, është qendërmbrojtësi i Hajduk Splitit, Ardian Ismajli i cili ka arritur që edhe të debutojë me fanellën kuqezi.

Në një intervistë për ‘VipSport.al’, mbrojtësi kuqezi ka folur në lidhje me ndeshjet që Shqipëria ka në këto kualifikuese duke qenë optimist se kuqezinjtë mund t’ia dalin. Ai u shpreh mes të tjerash se vetëm Franca është skuadra favorite në grup, ndërkohë jep edhe një mesazh për futbollistët të cilët zgjedhin një tjetër flamur para atij të Shqipërisë.

Ardian, ndeshja e parë është ndaj Turqisë. A e ke ndjekur Turqinë ndaj Kosovës dhe na jep një opinion për kundërshtarin?

Po e kam ndjekur ndeshjen që Turqia kishte ndaj Kosovës. Turqia është një ekip i mirë dhe nuk bën e nuk duhet që të nënvlerësohet.

Sa shanse ka Shqipëria ndaj tyre?

Duke parë formën e mirë që po kalojnë futbollistët nëpër ekipet e tyre, mendoj se shanset për ne janë realisht të mëdha.

Po për kualifikim si janë shanset?

Edhe për kualifikime, mendoj se shanset janë të mëdha pasi vendi i dytë është aty dhe nuk është i paarritshëm.

Cili nga kundërshtarët të tremb më shumë?

Mendoj se vetëm Franca është një kundërshtar që tremb, por ne duhet të japim maksimumin tonë ndaj çdo kundërshtari.

Vendi i tretë në grup, sukses apo dështim?

Për mendimin tim, vendi i tretë do të ishte një dështim.

Si ndihesh të luash me 2 shqiptarë të tjerë në një skuadër kroate?

Realisht ndihem shumë mirë dhe shumë i lumtur që i kam përkrah.

A ke një mesazh për futbollistët që zgjedhin skuadra të tjera, para Shqipërisë?

Të gjithë talentet shqiptarë kudo që ndodhen, duhet që të japin gjithçka për Kombin e tyre dhe nuk duhet që të hezitojnë aspak për të zgjedhur që të përfaqësojnë Shqipërinë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/