Analiza e specialistit pogradecar: Formula të ndryshojë, Vllaznia e Dinamo dy shkolla futbolli që kanë humbur traditën

Ardjan Abazaj është një nga trajnerët që ka drejtuar në Kategorinë e Parë dhe analizon sezonin në të dyja grupet. Sipas Abazajt, formula duhet që të ndryshojë patjetër, madje në të tria kampionatet dhe pogradecari që ka luajtur si mbrojtës në skuadrën e qytetit të tij apo dhe me Tiranën jep argumentet sepse pse duhet ndryshuar. Abazaj flet edhe për Superioren, garën për titullin dhe mungesën e Skënderbeut, dhe diferencën mes ekipeve të tjera që duan titullin. Në një intervistë për “Vipsport.al”, trajneri pogradecar i cili ka punuar edhe si seleksioner në përfaqësuesen rajonale të Qarkut të Korçës flet me detaje për garën në të tria kategoritë.

-Abazaj, jeni duke punuar me moshat, por e ndiqni edhe Kategorinë e Parë ku keni drejtuar në periudha të ndryshime Pogradecin. Si ju duket gara e këtij sezoni?!

Në fakt garë ka deri në një farë vendi, sepse faza e tretë mendoj se luhet për 4-5 ekipe të secilit grup. Të tjerët luajnë kot. Kjo skemë duhet që të ndryshohet. Nuk vazhdohet më kështu, sepse disa ekipe e përfundojnë kampionatin që në shkurt.

-Sipas jush skema që trumbetohet si gjetje, a ka sjellë rritje të cilësisë së futbollit dhe shmangien e tolerimeve si edhe pretendohet?

Jo aspak, po ta vësh re, ka luftë mes dy vendeve të para të secilit grup në fazën e tretë, ndërsa ekipet e tjera bëjnë “qoka”.  Kështu ndodh edhe në pesëshen e dytë. Më duket pa sens, për çfarë luajnë tashmë, Erzeni, Besëlidhja e Korabi. Po ashtu edhe Egnatia, Lushnja apo Oriku në Jug?! Nuk ka aspak rritje të cilësisë së futbollit, sepse janë vetë skuadrat që e bëjnë garën dhe vetë skuadrat që e prishin atë në momente të caktuara.

-Pogradeci ndodhet në pesëshen e dytë si rrallë herë këtë sezon…

Po ju e shikoni që Pogradeci është në krye të ekipeve të pesëshes së dytë, por ka merituar më shumë. Nuk është normale, në fund Pogradeci mund të ketë pikë më shumë se skuadrat e vendit të pestë apo të katërt të grupit të vetë!

-Sipas jush, çfarë duhet që të ndodhë, a duhet që të ketë një propozim konkret nga klubet?!

Patjetër që po, klubet janë aktorët kryesorë të garës që duhet të marrin vetë përsipër fatet e tyre. Duhet që të kërkojnë ndryshimin e skemës. Madje, për mua duhet që të ndryshojë edhe Superiorja dhe të bëhet me 14 ekipe. Sepse tashmë ka edhe stadiume. Fier, Kavaja, Lushnja, Ballshi, berate, Pogradeci, Lezha, Shijaku. Sepse edhe vendet e dyta investojnë dhe të paktën ato duhet që të kenë një shans që të luajnë një ndeshje shtesë me një nga ekipet e Superiores. Kështu rritet gara, jo vetëm në Kategorinë e Parë, por edhe në elitë.

-Skema me 10 skuadra nuk ju duket efikase?!

Aspak, përkundrazi, ekipet e vogla janë të destinuara që të bien që kur ngjiten. E tregon vetë gara dhe eksperienca e viteve të fundit. Superiorja, duhet që të jetë me 12 ose 14 ekipe dhe Kategoria e Parë në një grup të vetëm. Kush nga ekipet që nuk ka financa le të luajë në të Dytën. Dhe aty mendoj që të ndahet në tre grupe duke qenë se nuk është garë profesioniste e mirëfilltë!

-Në Kategorinë e Parë janë shumë ekipe me traditë, ku shohim vitet e fundit, Partizanin, Vllazninë, Dinamon, Besën, Tomorin, Lushnjën, Apoloninë, Pogradecin, Bylisin, Besëlidhjen e Erzenin ku edhe investohet. Por mungojnë të rinjtë vendas…

Është e vërtetët. Dinamo e Vllaznia kanë qenë shkolla futbolli. Por, vë re që këto ekipe edhe në Kategorinë e Parë kanë nga 3-4 futbollistë të huaj titullarë. Nuk ka nevojë Shkodra që të marrë lojtarë anonimë. Moshat e Shkodrës janë çdo vit kampion. Shkodra ka lojtarë që të furnizojë tërë ekipet e Veriut me talente edhe në Superiore. Dinamo, dikur me një kompleks modern, tashmë s’ka as fushë e as talente. E shumë ekipe të tjera…!

-Si po të duket Superiorja?

Të them të drejtën pa një Skënderbe konkurrues, mendoja se gara do të ishte me rivalitet. Nuk është se i ka munguar, por Partizani po bën atë që kanë bërë korçarët deri vjet. Janë me të vërtetë një ekip i mbledhur dhe me dëshirën për të fituar trofe.

Intervistoi: Erjon Saliu/Vipsport.al/