Ahmataj: Në futboll përmbyset gjithçka për 10 minuta, Luftëtari ka përparësi mbijetesën

Luftëtari nuk luajti fundjavën që shkoi, pasi kundërshtari i tij duhej të ishte Kamza. Gjirokastritët i morën 3 pikët në tavolinë, por situata në fundin e tabelës mbeti e njëjtë, sepse edhe Kastrioti rival fitoi me Tiranën.

Trajneri Ahamataj po punon me të tijtë për ndeshjen me Skënderbeun, pasi, siç e thekson edhe ai vetë, Luftëtari ka përparësi qëndrimin në Superiore. Ahmataj nuk i zë besë Partizanit dhe për kualifikimin e mundshëm në Kupën e Shqipërisë ka theksuar se asgjë nuk është e sigurt pas fitores në ndeshjen e parë:

“Ndërprerjet e kampionatit ndonjëherë më shumë prishin punë se ndihmojnë, por ne duam të mbajmë ritmin lart derisa të përballemi me Skënderbeun në kampionat.

Kupa? Nuk ka asnjëherë kualifikim të sigurt. Rezultatet në futboll mund të përmbysen për 10 minuta apo një pjese loje, jo më kur është edhe një ndeshje për t’u luajtur. Na duhet një sakrificë e madhe në ndeshjen e kthimit për t’u kualifikuar, por më parë kemi ndeshjen me Skënderbeun dhe ajo është më e rëndësishme.

Mbijetesa në Superiore është përparësi për Luftëtarin. Ne merremi vetëm me ekipin tonë, kemi kundërshtar vetëm veten dhe duhet të përgatitemi dhe të luajmë sa më mirë, që të marrim sa më shumë pikë. Në fund do të bëjmë llogaritë. Dua që futbollistët të stërviten sa më mirë dhe sa më shumë, edhe individualisht, në mënyrë që të ecin përpara në karrierën e tyre. Vetëm me punë në stërvitje mund ta bëjnë këtë gjë”, – ka thënë trajneri i gjirokastritëve, Julian Ahmataj. / Vipsport.al