Zyrtare/ U turpërua në kampionat e Europë, ish-trajneri i Luftëtarit gjen skuadër të re

Sezoni i kaluar ishte një nga sezonet më të mira të Luftëtarit në histori, duke arritur që për herë të parë të kualifikohen në Ligën e Europës. Përgatitjet për këtë turne, nisën me ndryshime të shumta te gjirokastritet dhe vendin e Hasan Likës e zuri trajneri slloven Milosh Kostiç.

Në fakt, Kostiç dështoi duke u shkatërruar në Europë nga Ventspils dhe në kampionat numëronte 4 humbje në katër javët e para, duke i liruar vendin teknikut Gentian Mezani. Megjithatë, Kostiç duket se nuk e ka vuajtur shumë largimin nga bluzinjtë pasi për disa kohë ka punuar te Thesaloniki.

Tashmë, Kostiç është me skuadër të re pasi do të drejtojë Trikalën në kampionatin grek. Skuadra që militon në Ligën e Dytë greke nuk po kalon një moment të mirë duke qenë se renditet në vendet e fundit dhe është shumë pranë zonës së ftohtë. Kostiç do të ketë si objektiv qëndrimin në atë ligë dhe më pas, sezonin tjetër për më lart pasi ka firmosur një kontratë njëvjeçare. /Erjon Allaraj-VipSport.al/