Zyrtare/ Shpëtim Duro mbetet pa skuadër, jep dorëheqjen nga Drita

Shpëtim Duro nuk do të jetë më trajner i Dritës, duke qenë se tekniku ka dhënë dorëheqjen pas eliminimit që skuadra e tij pësoi në Kupën e Kosovës. Lajmi u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e Dritës në rrjetin social ‘Facebook’ që njofton se Duro ka dhënë dorëheqjen pas atij rezultati zhgënjyes ndaj Vëllaznimit.

Duro e nisi mjaft mirë aventurën e tij në Kosovë, duke marrë disa fitore radhazi që e ngjitën Dritën disi në renditje, madje ngjalli shpresat për mbrojtjen e titullit kampion por ndeshjet e fundit kanë rezultuar negative. Në këtë mënyrë, Duro mbetet trajner i lirë dhe pritet që në ditët në vazhdim, të njihet me skuadrën me të cilën do të vazhdojë karrierën e tij.

“Klubi jonë FC DRITA ju njofton që ka dhënë dorëheqje kryetrajneri Duro! Pas një takimi që kishim menjëherë pas ndeshjes së djeshme, me një marrëveshje mes dy palësh është vendosur që të ndërpritet bashkëpunimi!

Pas eliminimit nga Kupa e Kosovës, dhe dalja nga objektivi i vetëm i klubit për këtë sezon, z.Duro ka ofruar dorëheqjen, gjë që është pranuar nga klubi bardh e kaltër!

FC DRITA e falënderon profesor Duron për punën profesionale që ka bërë me klubin dhe i dëshiron shumë suksese”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/