VIDEO / Tërbohen te Boka Juniors, i ndal mbrojtësi më i ri kuqezi duke kopjuar Maradonën

Shumë shpejt do ta shohim protagonist në fushën e lojës me fanellën kuqezi të përfaqësueses shqiptare, por për momentin Tomas Guidara po bëhet protagonist në kampionatin argjentinas të futbollit me fanellën e Belgrano. Mbrojtësi i djathtë në fakt është personazhi i ditës në Argjentinë, pasi një veprim i tij në minutën e fundit shtesë të ndeshjes ndaj Boka Juniors është kthyer kudo në temë diskutimi, sepse i ka hequr nga duart fitoren finalistëve të Kupës Libertadores.

Në fundin e një dueli shumë të luftuar, kur shifrat ishin 1-1, Boka Juniors fitoi një goditje dënimi të cilën Pavon e ekzekutoi duke përplasur topin në traversë. Me portierin e mposhtur, Abila kishte mundësinë të shtynte topin me kokë drejt rrjetës. Por Guidara me shpejtësi kërceu dhe devijoi topin me dorë, me një lëvizje të ngjashme me atë të famshmen e Diego Maradonës.

Për gjyqtarin ishte goditje me kokë, mes protestave të shumta të lojtarëve të Boka Juniors, të cilët panë se si u iku një penallti e sigurt nga duart, në minutat shtesë të ndeshjes. Ndaj gjatë gjithë ditës së sotme, në Argjentinë kishte vetëm një diskutim, nëse ishte apo jo prekje e topit me dorë nga mbrojtësi i cili shumë shpejt do të veshë fanellën kuqezi. /vipsport.al/