VIDEO / Shqipëria nuk e fton, Andoni me dygolësh në 7 minuta përballë Mihajt

Ndërsa Kristian Panuçi dhe stafi i përfaqësueses shqiptare vazhdojnë të injorojnë Florjan Andonin, mesfushori shqiptar i AEL Larisës po kalon një formë të shkëlqyer në kampionatin grek duke luajtur me rregullsi e duke gjetur edhe rrjetën.

Sot, përballë Panetolikos të Enea Mihajt, ai shënoi dy herë, duke ndihmuar skuadrën e tij të marrte një barazim të rëndësishëm në transfertë. Panetolikos shënoi dy herë me Mazurek e Bajroviç në pjesën e pare, por në të dytën, Andoni bëri diferencën me lojën e tij.

Fillimisht ai shënoi golin që shkurtoi diferencën në minutën e 82-të dhe vetëm 7 minuta më vonë, barazoi shifrat me një penallti duke vulosur barazimin 2-2. Kësisoj, mesfushori ka çuar në 4 numrin  e golave në këtë sezon për Larisën që lufton për të mbijetuar në elitën e futbollit grek. /vipsport.al/