VIDEO / Sasuolo nxjerr Juventusin nga kriza, një “tris” për të shkuar në +11

Juventusi i ka dhënë fund një serie rezultatesh që kishte filluar të shqetësonte disi tifozët e skuadrës bardhezi, me një fitore ndaj Sasuolos. Pas eliminimit nga Kupa dhe barazimit ndaj Parmës, juventinët i janë kthyer fitoreve, por sidomos nuk kanë pësuar gol, duke triumfuar 3-0.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas një goditje të fortë të Ronaldos, që u kthye nga portieri, por u shty në rrjetë nga Khedira i vëmendshëm. Edhe vendasit rrezikuan dhe mund të kishin shënuar nga pavëmendjet e dyshes Kaceres-Rugani, por ata që gjetën rrjetën ishin përsëri juventinët, në pjesën e dytë me tashmë të zakonshmin Ronaldo.

Portugezi përfitoi nga një asist perfekt i Pjaniç për të goditur me kokë e mundur Konsiljin, i cili para fundit të sfidës u detyrua të nxirrte topin nga rrjeta edhe pas gjuajtjes së Emre Xhan, i sapofutur në fushën e lojës.

Me këtë fitore, Juventusi çon në 11 pikë diferencën ndaj Napolit të vendit të dytë duke bërë gjithnjë e më shumë formalitet fitoren e titullit kampion në Itali. /vipsport.al/