VIDEO / Ndoj sërish protagonist te Breshia, realizon gol vendimtar

Emanuele Ndoj edhe njëherë është treguar vendimtar tek Breshia. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka realizuar golin e dytë, në takimin që skuadra e tij fitoi 3-1 ndaj Karpit duke treguar se po kalon një moment mjaft pozitiv në karrierën e tij.

Në fakt, talenti 22-vjeçar është kthyer në një pikë kyçe për të tijtë teksa shpeshherë është treguar vendimtar me asistet e tij apo në zotërimin me shumë personalitet të mesfushës duke pasur ndikim në rezultatet pozitive të skuadrës. Ky është goli i dytë që Emanuele Ndoj realizon në këtë sezon për Breshian në kampionat.

Padyshim që ky është një lajm i mirë edhe për teknikun e Kombëtares, Kristian Panuçi, i cili në vigjilje të nisjes së eliminatoreve për Europianin, do të kërkojë t’i ketë në formë maksimale futbollistët e grumbulluar si nga ana fizike po ashtu edhe nga ajo psikologjike.

Aktualisht skuadra ku aktivizohet Ndoj, Breshia, kryeson renditjen në Serinë B teksa ka si objektiv kryesor ngjitjen në elitën e futbollit italian, ndërsa shqiptari shikohet nga klubi si një lojtar shumë i rëndësishëm për arritjen e këtij objektivi. /Egi Çabeli/vipsport.al/