VIDEO / Merr fund kriza, Martinez shpëton Interin për 3 minuta

Një gol i Lautaro Maritnez ka kthyer përsëri buzëqeshjet te Interi, duke i dhënë fund serisë prej dy humbjesh radhazi që kishin tronditur ndjeshëm pankinën e Luçiano Spaletit. Argjentinasi ishte vendimtar, edhe pse si zëvendësues, duke ndihmuar skuadrën të merrte tri pikët përballë ekipit që kishte ndalur Juventusin në javën e kaluara, Parmës.

Në një ndeshje shumë të luftuar, ata që iu afruan më shumë golit në pjesën e parë ishin pikërisht vendasit, me Zhervinjon i cili pas një aksioni individual spektakolar iu afrua shumë rrjetës duke goditur traversën.

Por në pjesën e dytë Interi reagoi dhe kërkoi më me ngulm golin, me një të anuluar nga VAR, duke e gjetur më në fund me Martinez në minutën e 79, vetëm 3 minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës. Një gol që rezistoi deri në fundin e ndeshjes për t’i dhënë suksesin 1-0 zikaltërve e për t’i shkëputur nga grupi i skuadrave që i ndiqnin rrezikshëm duke vënë në diskutim edhe vendin e tretë të tyre në renditjen e Serisë A. /vipsport.al/