VIDEO / I anuluan gol dhe e nxorën me të kuq, por mediat spanjolle mbrojnë Baren

Keidi Bare ishte protagonist i barazimit të djeshëm mes Malagas dhe Las Palmas, thuajse në çdo episod të kësaj ndeshje ku personazh u bë edhe gjyqtari kryesor dhe asistentët e tij. Në mediat spanjolle ata janë kritikuar ashpër për mënyrën se si anuluan dy gola, në të cilët ishte protagonist pikërisht Bare, ndërsa edhe kartoni i kuq i dhënë ndaj tij ishte i ekzagjeruar.

Në pjesën e parë të ndeshjes që u mbyll 0-0, Bare gjeti rrugën e rrjetës, por goli i tij u anulua pasi mendohej se shoku i skuadrës që i pasoi topin ishte në pozicion jashtë loje. Siç treguan pamjet, vendimi ishte tërësisht i gabuar dhe kësisoj Bares iu hoq mundësia që të festonte një gol të rëndësishëm për ekipin e tij që lufton për t’u ngjitur në La Liga.

Pak minuta më vonë, mesfushori u bë përsëri protagonist në një aksion goli të anuluar, këtë radhë duke harkuar në zonë një goditje nga këndi, ndërsa Gonzalez dërgonte topin në rrjetë. Gjyqtari sinjalizoi se topi i gjuajtur nga Bare fillimisht kishte kaluar jashtë vijës fundore para se të përfundonte në zonën e rreptësisë.

Në pjesën e dytë pastaj erdhi edhe episodi i polemikave për kartonin e kuq të Bares, që acaroi shumë Malagan, pasi lojtari ishte ndëshkuar në pjesën e parë me të verdhë pasi kishte insistuar që një goditje dënimi të ekzekutohej në vendi e duhur. Edhe i verdhi i dytë ishte i ekzagjeruar dhe kjo bëri që tifozët e Malagës në rrjetet sociale të ngrinin dyshime se mos ndaj ekipit të tyre kishte një komplot për të penguar ngjitjen.

Ndaj nuk është aspak rastësi që e përditshmja spanjolle “AS”, një nga më të mëdhatë në Spanjë, të vlerësonte pozitivisht Baren edhe pse kishte lënë ekipin e tij me 10 lojtarë.

“I anuluan një gol për një pozicion të dyshimtë jashtë loje të mëparshëm dhe e mbylli ndeshjen duke u ndëshkuar me të kuq shumë të ekzagjeruar (mori të verdhën e parë pasi lëvizi topin). Sa i përket ndeshjes, ai ruajti linjën e tij, duke qenë kërkues i palodhur në mesfushë”, shkruante e përditshmja spanjolle për lojtarin shqiptar që duket se i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij. /vipsport.al/