VIDEO / Festë shqiptare në Split, Ismajli e Uzuni gjejnë rrugën e rrjetës

Shqiptarët bëhen gjithnjë e më shumë protagonistë në kampionatin kroat të futbollit dhe kanë dhënë një sinjal të qartë në ndeshjen e sotme mes Hajdukut të Splitit dhe Lokomotiv të Zagrebit. Ardian Ismajli dhe Myrto Uzuni kanë gjetur rrugën e rrjetës në takimin e sotëm duke u bërë protagonistë në sfidën që Hajduk vendas fitoi me rezultatin 2-1.

Në një ndeshje shumë të luftuar, ishte pikërisht Ismajli ai që kaloi në avantazh skuadrën vendase me një goditje me kokë në minutën e 41 të sfidës, pas një goditje nga këndi, duke treguar aftësi edhe në lojën në ajër në ndihmë të sulmit.

Por pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, përgjigja i erdhi nga Uzuni, i cili pasi përfitoi nga një vendosje e gabuar e prapavijës së Hajduk, dërgoi topin në rrjetë. Këtë radhë sulmuesi i përfaqësueses festoi si Mbape golin e tij të 6 në kampionat, në një sezon që e sheh gjithnjë e më shumë protagonist.

Megjithatë, në minutën e 63-të ishte Çaktash që realizoi golin e fitores 2-1 për Hajdukun, që mori pikë të rëndësishme në luftën për t’u ngjitur në zonën e Europës, ku për momentin gjendet pikërisht Lokomotiv i Uzunit. /vipsport.al/