VIDEO / Aguero në histori, Mançester Siti masakron Çelsin në kampionat

Mançester Siti i ka dhënë një leksion të mirëfilltë futbolli skuadrës së Çelsit duke i treguar Mauricio Sarrit se është ende shumë larg Pep Guardiolës në stilin e lojës që kërkon t’i japë skuadrës londineze. Rezultati 6-0 i duelit të sotëm në “Etihad” e tregon më së miri këtë diferencë dhe ka vënë realisht në rrezik vazhdimësinë e trajnerit italian në krye të londinezëve.

Gjithçka u bë e thjeshtë që në minutat e para të ndeshjes, me Sterling që shënoi golin e avantazhit në minutën e 4, ndërsa Aguero dyfishoi shifrat në të 13-tën. Argjentinasi ishte i pamëshirshëm kur shënoi përsëri në minutën e 19, ndërsa pas 25 minutash lojë shifrat ishin 4-0 pasi edhe Gyndogan gjeti rrjetën.

Dominimi i Sitit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ndërsa Aguero plotësoi tregolëshin e tij personal në minutën e 56 me një penallti. Kjo e barazoi argjentinasin me legjendën Alan Shirer, i cili mbante i vetëm rekordin me 11 tregolësha në Premier Ligë. Por Siti nuk u ndal deri në fund dhe arriti të vuloste fitoren 6-0 falë golit të Sterling në minutën e 80.

Suksesi e kthen përsëri në krye skuadrën e Guardiolës falë golavarazhit, me një ndeshje më shumë të luajtur se Liverpuli me të cilin ndan kuotën e 65 pikëve. Ndërkohë, Çelsi ka rrëshqitur në vendin e 6 dhe tashmë trajneri Mauricio Sarri rrezikon seriozisht shkarkimin, pasi ka humbur 3 nga 4 ndeshjet e fundit në kampionat duke pësuar 12 gola. /vipsport.al/