UEFA me dorë të rëndë, gjaknxehtësia e Mavrajt kushton shumë shtrenjtë

Gjaknxehtësia e Mërgim Mavrajt në ndeshjen kundër Skocisë do t’i kushtojë shtrenjtë mbrojtësit shqiptar e sigurisht edhe përfaqësueses kuqezi ku ëhstë kapiten. Goditja e tij me kokë ndaj Rajan Kristi në pjesën e parë të ndeshjes i solli kartonin e kuq, duke bërë më të vështirë punë e kuqezinjve në atë sfidë që u mbyll me suksesin 4-0 të skocezëve.

Por njëkohësisht, ajo ndeshje solli edhe një ndëshkim të rëndë për vetë futbollistin, të cilin UEFA e ka dënuar me 3 ndeshje pezullim për atë sjellje të papranueshme. FSHF nuk e ka bërë publik vendimin për këtë masë disiplinore ndaj kapitenit të përfaqësueses shqiptare, por konfirmimi ka ardhur sot nga një intervistë e trajnerit Kristian Panuçi për Top Channel.

“Zgjedhjet e Mavrajt janë ato që ai bën vetë, unë gjithmonë kam bërë zgjedhje pa parë moshën, ku luan apo kush je dhe si e ke emrin. Unë besoj se e kam ndihmuar shumë, pasi ishte një vit pa luajtur fare dhe unë e grumbullova. Vendosi të kthehet në Gjermani dhe unë e shoh që aktivizohet, por për të nuk duhet të mendojmë tani është i skualifikuar për 3 ndeshje. I uroj që të jetë mirë dhe të mbaj formën, për të ardhmen të shohim”, tha Panuçi, duke bërë të qartë se aktualisht nuk mendon më për kapitenin të cilin mund ta ketë në dispozicion vetëm në qershor.

Mavraj do të mungojë kësisoj në duelet e marsit ndaj Turqisë dhe Andorrës e gjithashtu edhe në një duel shumë të vështirë ndaj Islandës në transfertë, duke u kthyer vetëm për takimin e dytë të qershorit, atë ndaj Moldavisë. /vipsport.al/