Uanda Nara rindez polemikat: Skuadra duhet ta mbrojë më shumë Ikardin

Te Interi nuk kanë të përfunduar zërat mbi rinovimin e kontratës së Ikardit. Si për të shtuar dhe më shumë presionin mbi palët qëndron edhe fakti se kapiteni zikaltër po kalon një moment tejet negativ teksa edhe në takimin e fundit ndaj Parmës, emri i Ikardit mungoi në listën e golashënuesve. Ndërkaq rrjeta e fundit e Ikardit në kampionat daton prej 15 dhjetorit të vitit të kaluar.

Ndërkohë, tashmë është bërë e zakonshme që për t’i hedhur më shumë benzinë zjarrit mendon agjentja dhe njëkohësisht bashkëshortja e sulmuesit argjentinas, Uanda Nara. E ftuar në emision ‘Tiki Tika’, ajo u shpreh se Ikardi duhet të jetë më i mbrojtur nga skuadra, ndërsa për rinovimin ka kohë. “Nuk kam folur për rinovim, por dua që Mauro të jetë më i mbrojtur nga skuadra. Prioritet mbetet Interi. Asnjëherë nuk kam telefonuar për të kërkuar rinovimin pasi nuk e kemi me nxitim, kemi akoma edhe dy vite në kontratë”, shprehet Uanda.

Megjithatë, me rinovimin që duket të jetë në udhëkryq, sirenat e merkatos për Ikardin bëhen gjithnjë e më të forta, me Realin, që asnjëherë nuk e ka fshehur interesin për ta transferuar bomberin në Madrid. /Egi Çabeli-VipSport.al/