U shkarkua si trajner i Kombëtares, Bogdani tregon të ardhmen në futbollin italian

Pas një aventure të suksesshme si futbollist i Kombëtares por edhe në Itali, Bogdani provoi veten e tij si trajner i të rinjve të Kombëtares, por pa arritur që të ketë sukses dhe pas dështimeve u shkarkua nga FSHF-ja. Duke përfituar nga ky pushim, Bogdani ka shkuar në Itali dhe në qendrën stërvitore të Salernitanës ka treguar dëshirën e tij për të ardhmen.

Në qytetin e Salernit, ai ka parë fëmijët duke u stërvitur dhe ka pranuar se dëshira e tij është që një ditë të merret me trajnimin e tyre. Në një prononcim pasi ndoqi stërvitjen, Bogdani ka treguar edhe arsyen që e shtyu të ndiqte këtë stërvitje.

“Për mua është hera e parë që kam ardhur këtu, kam një mik shumë të dashur si Karmine Di Napoli që më ka ftuar të shoh këta fëmijë. Kur është fjala për sportet, sidomos për futbollin, është gjithmonë një kënaqësi për mua. Duke parë që fëmijët luajnë dhe argëtohen u ndieva shumë i lumtur dhe shpresoj që të bëj shumë trajnime me ta, kështu që mund të rriten dhe mund të luajnë futboll në të ardhmen”, u shpreh Bogdani. /Erjon Allaraj-VipSport.al/