Tragjedia e Sala, autopsia zbulon shkaqet e vdekjes së futbollistit

Emiliano Sala ka humbur jetën si pasojë e përplasjes së dhunshme të avionit në sipërfaqen e ujit në kanalin e La Manshit dhe nuk është mbytur si pasojë e zhytjes së mjetit fluturues pas përplasjes.

Ky është përfundimi i autopsisë që është kthyer mbi kufomën e futbollistit argjentinas që është nxjerrë nga avioni i mbytur pak ditë më parë. “Wales Online” ka zbuluar edhe detajet e autopsisë së futbollistit, ndërsa ka treguar se identifikimi i tij është bërë nga shenjat e gishtërinjve.

“Hetimet kanë konfirmuar se identifikimi i tij u bë nga provat e siguruara nga shenjat e gishtërinjve. Shkaku i vdekjes, i caktuar nga autopsia, jepet zyrtarisht si pasojë e plagëve të rënda që ka marrë në kokë dhe në gjoks. Një patolog ka dhënë përfundimin se kjo ishte arsyeja pse Sala u nda nga jeta dhe jo mbytja e avionit”, shpjegohej në artikullin e të përditshmes uellsiane.

Ndërkohë, autoritet e fluturimit vazhdojnë hetimet, të cilat mund të zgjasin disa muaj. Por një raport paraprak mbi ngjarjen dhe shkaqet e aksidentit pritet të jepet në javën e ardhshme. /vipsport.al/