Tjetër refuzim nga De Biazi, nuk do gjë tjetër veç një ekipi të madh në Serinë A

Xhani De Biazi vazhdon t;u thotë jo ofertave që mbërrijnë në adresë të tij, ndonëse bëhet fjalë për klube që kanë emër e histori në futbollin italian. E tillë është edhe Verona, skuadra e radhës që ka marrë një përgjigje negative nga trajneri i cili nuk dëshiron ekipe të vendeve të fundit të klasifikimit apo të Serisë B.

Aktualisht Verona po kalon një periudhë negative në Serinë B, pasi nuk ka fituar asnjë nga 5 ndeshjet e fundit dhe rrezikon seriozisht të dalë jashtë objektivit të ngjitjes në Serinë A. Për këtë arsye, presidenti i veronezëve, Seti, kishte menduar që të kontaktonte De Biazin për t’i ofruar atij drejtimin e klubit. Seti e njeh mirë De Biazin pasi e ka takuar disa herë si në Itali, ashtu edhe Shqipëri, ku presidenti i Veronës është aksioner në disa biznese.

Por De Biazi ka refuzuar këtë ofertë, ashtu siç kishte bërë më parë edhe me klube të tjera në Serinë B, apo edhe me Frozinonen dhe Kievon në Serinë A. Mediat italiane bëjnë të ditur se ai ka sqaruar se në Serinë A do të kthehet vetëm nëse i besohet një klub që lufton për objektiva të rëndësishëm dhe jo për mbijetesën në elitën e futbollit italian. Ndaj për momentin trajneri duket i kënaqur me rolin e opinionistit sportiv, edhe pse e ka mbajtur larg fushës së blertë prej më shumë se një viti. /vipsport.al/