Starova: Kastrioti pritej pengesë, Teuta bëri mirë që ia la penalltinë Kallakut

Sulejman Starova mendon se problemi më i madh i Kukësit në këto momente është se nuk arrin të kolaudojë në kohë të shpejtë të gjithë emrat që ka afruar në ekip. Duke analizuar ndeshjen e humbur ndaj Tiranës në “Rubrika Sportive”, ai i dha meritat bardhebluve për një ndeshje të dominuar, duke theksuar më pas se verilindorët e kishin interpretuar gabim duelin.

“Tirana luajti më mirë se Kukësi dhe shumë herë më mirë në pjesën e parë. Me rreshtimin 4-2-3-1, Tirana kontrolloi gjithë ndeshjen mesfushën. Ai repart dominoi ndaj Kukësit. Rreshtimi 3-4-3 apo 3-5-2 i Kuëksit nuk funksionoi, se krahët ishin më afër mbrojtjes se në sulm. Përdoret vazhdimisht nga Kukësi topi i gjatë, që e ekzagjerojnë pak si shumë.

Ti mund të harxhosh para por duhet të jesh i kujdesshëm, do kohën e vet kur investohen. Një mori lojtarësh që vjen në janar nuk është mirë. Më rezulton që Tirana e Partizani kanë afruar lojtarë që të rritin konkurrencën që nga stoli apo duke kërkuar formacionin. Këto janë gjëra negative kur skuadrat ndërhyjnë shumë në janar. Arsyeja është që skuadra sot ka në fushë 4-5 lojtarë që luajnë për herë të parë, do kohë kolaudimi, ka me qindra shembuj, është diçka gabim që bën Kukësi.

Shameti nuk mund të rrijë kaq shumë para kur ka shumë lojtarë ofensivë në fushë. Po të shohësh rreshtimin te goli, është shumë gabim. Po të dilte ndeshja barazim, Kukësi do të dilte jo me këtë humbje, se kishte kundërshtar të fortë përpara. Ka dalë i dëmtuar, ka marrë një goditje të fortë”, tha Starova.

Për paraqitjen e Partizanit me Kastriotin
“Javën që kaloi thamë që Kastrioti po zbukuron kampionatin dhe kemi thënë që ekipet nuk kanë diferenca të mëdha. Nuk është se vuri në vështirësi Kastrioti Partizanin, pritej të ishte pengesë se skuadrat e mbijetesës tregojnë shpirt gare. Fakti që vuajtën është normale, se nuk është kollaj. Pas eurogolit të Telushit, pas rastit të Malës në zonë e golit, ndeshja ishte në rregull. Nuk ka ndeshje të lehta. Partizani në fazë mbrojtëse nuk ka lëshuar, ka qenë gjithmonë nga ata që kanë pësuar më pak, ka luftë për të kapur vendin”.

Për ndeshjen Teuta-Kamza
“Kishte mundësi të mirë Teuta për të kaluar në avantazh por Kamza jo vetëm është mbrojtur mirë, por ka tentuar edhe të ngacmojë portën e Teutës në pjesën e parë. Kishte moment të artë për të shfrytëzuar penalltinë por u bë mirë që i besohet një penallti një të riu, duket që i godet edhe në stërvitje. Nuk është problem që humbi, e ka humbur Mesi e Maradona, nuk ka ngelur njeri pa humbur. Pastaj kaluan në nxitim, e donin golin me çdo kusht, nuk patën durim që të qarkullonin topin dhe këto gabime në pasim rritën lojtarët e Kamzës. Kamza nuk reagoi në pjesën e dytë, hoqi edhe sulmuesin dhe mendonte si të merrte pikën”.

/vipsport.al/