Sot mbyllet java e 21, në Korçë gjykon arbitri që anuloi supergolin

Java e 21 e Kategorisë Superiore mbyllet sot me takimin që luhet në Korçë mes Skënderbeut dhe Laçit. Korçarët të cilët kanë harruar të fitojnë një ndeshej në kampionat, duke qenë se në 6 ndeshjet  fundit kanë humbur, synojnë që të marrin një fitore ndaj kurbinasve. Nga ana tjetër, kurbinasit kanë treguar se nuk janë një kockë e lehtë për asnjë kundërshtar.

Sa i përket gjykimit, ‘VipSport’ ka mësuar se ky takim i është besuar arbitrit që anuloi supergolin e Pollozhanit ndaj Kukësit, Olsi Sokoli. Ai do të jetë i ndihmuar nga 2 asistentët e tij, Nertil Bregasi dhe Astrit Mahmuti.

Javën e shkuar, Sokoli ishte gjyqtari më i komentuar për shkak të gjykimit në takimin mes Flamurtarit dhe Kukësit i luajtur në Vlorë. Drejtuesit e Flamurtarit shprehën pakënaqësi duke e konsideruar këtë gjykim si të njëanshëm dhe aspak të drejtë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Luhet sot:

18:00 Skënderbeu-Laçi