Skënderbeu fërkon duart, pret mijëra euro nga skuadra që e fundosi në UEFA

Dean Liço mund të sigurojë disa mijëra euro për arkat e klubit të Skënderbeut në qershorin e këtij viti, nëse kalimi i tij nga spanjollët e Leganes te portugezët e Sporting Lisbonës do të finalizohet, Talenti i dalë nga akademia e klubit korçar ka kaluar në huazim në radhët e portugezëve deri në fund të sezonit, por këta të fundit kanë të drejtë që në qershor të blejnë kartonin e tij.

Klauzola e transferimit nuk është e vogël, përkundrazi. Shifra e vendosur në kontratë mësohet se është 1 milion euro, relativisht e lartë për futbollistin i cili as nuk kishte mundësinë të luante me ekipin e parë te korçarëve, por stërvitej rregullisht me to.

Por në rast se Sporting vendos të blejë futbollistin, nga kjo do të përfitojë edhe Skënderbeu, si klubi formues, me disa dhjetëra mijëra euro që do të përfundojnë në arkat e klubit korçar. Si për ironi të fatit kjo shumë do i vijë nga një klub i cili është kthyer në problem për korçarët. Kjo, pasi ndeshja e tyre ndaj Sportingut në Ligën e Europës, e përfunduar me rezultatin 5-1, është e arkivuar nga UEFA mes atyre me të cilat argumenton se klubi shqiptar ka trukuar ndeshjet në arenën ndërkombëtare. /vipsport.al/