Shpërdorim detyre, ja sa vite burg rrezikojnë zyrtarët e FSHF-së

Futbolli shqiptar nuk po kalon në ditët më të mira dhe sot ka marrë një tjetër goditje, këtë radhë nga Policia e Shtetit. Takimi i fundit që Kastrioti zhvilloi ndaj Partizanit ka detyruar forcat e rendit që të nisin një hetim karshi delegatëve të FSHF-së dhe të procedojnë penalisht administratorin e Kastriotit, Gazmend Vogli për shkak të reklamës së një kompanie bastesh në fanellë.

Zyrtarët e FSHF-së në rolin e delegatit të ndeshjes duhet të kërkonin që të ndërrohen fanellat dhe nuk duhej të lejonin nisjen e takimit duke qenë se ligji kundër lojërave të fatit e ndalon diçka të tillë. Megjithatë, për delegatët gjithçka ka qenë në rregull dhe sot autoritetet kanë nisur një hetim në bazë të nenit 248 me akuzën ‘Shpërdorim Detyre’.

Neni 248 nga Kodi Penal i ndryshuar në vitin 2007 në lidhje me shpërdorimin e detyrës parashikon një gjobë të majme dhe arrest me burg për të pandehurin. Në këtë mënyrë, delegatët e FSHF-së të cilët janë nën hetim rrezikojnë arrestin me burg dhe dënim deri në shtatë vjet, ndërkohë që edhe një gjobë deri në një milionë lek.

“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lek”, shkruhet në nenin 248. /Erjon Allaraj-VipSport.al/