Shkëmbi: Nuk e prisnim, titullin e kemi dëshirë të gjithë

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, deklaroi sot se nuk e priste këtë barazim pa gola ndaj Kamzës. Pas ndeshjes së sotme ndaj Kamzës, ai deklaroi se ekipit të tij i kishte munguar vetëm goli në sfidën e sotme.

“Futbolli është i paparashikueshëm dhe këtë rezultat nuk e prisnim. U mundova t’u jap kurajë djemve. Jam i kënaqur deri diku për lojën duke parë edhe mënyrën se si luajti kundërshtari, meriton komplimente e respekt. U rreshtua ashtu për një barazim dhe e arriti. Është meritë e tyre por edhe paaftësia e jona dhe mungesë fati.

Në futboll si në çdo fushë tjetër, duhet të punosh. Luajtëm mirë por na mungoi shënimi i golit. Do të punojmë që të shënojmë e zhbllokojmë rezultatin se do të jemi më lirshëm nga ana psikologjike. Reparti i sulmit dhe individët janë të lidhur. Presim ardhjet e reja dhe do të kemi më shumë alternativa dhe mundësi.

Nuk ndikoi skema, mendoj se luajtëm më rrjedhshëm se në ndeshjet e kaluara por nuk shënuam, ai ishte i vetmi problem që kishim sot.

Unë e kam thënë që objektivi ynë është që sa më shpejt të sigurojmë Europën. Jemi brenda objektivit deri tani, pavarësisht këtij barazimi, se është i hidhur pas çdo ndeshje që nuk fiton. Por duhet të shohësh ndeshjet që vijnë se janë më të rëndësishme. Titulli? Dëshirë kemi të gjithë nga klubi, stafi e lojtarët, të gjithë thonë që ka qenë shumë afër Partizanit e Kukësit. Ne kemi objektiv sa më shpejt pikët për Europë, nga ai moment sa jemi larg vendit të parë e të dytë, do të shohim.

Bushiç e Latif nga java e ardhshme të dy do të jenë jo ndoshta në maksimalen, por do të na ndihmojnë të dy”, tha Shkëmbi. /vipsport.al/