Sherri në Gjirokastër, Bujar Pregja ngatërroi Ardi Beharin me një tjetër te Flamurtari

Gjatë ndeshjes Luftëtari-Flamurtari, e zhvilluar ditën e diel në stadiumin e Gjirokastrës, ka pasur një debat të ashpër mes delegatit të ndeshjes, Bujar Pregja, dhe zyrtarëve të klubit vlonjat.

Pregja i ka kërkuar drejtorit të klubit të Flamurtarit, Ardi Beharit, që të largohej, pasi ishte i skualifikuar. “Vipsport.al” mëson se Behari i është përgjigjur se e kishte përfunduar skualifikimin 4-javor dhe i ka kërkuar Pregjës të verifikonte gjithçka. Por ky i fundit këmbëngulte në të tijën. Me sa duket, e ngatërronte Ardi Beharin me Ardi Cirunën, një tjetër zyrtar të klubit vlonjat të skualifikuar më gjatë nga Disiplina.

Kjo ishte arsyeja e atij debati në stadiumin e Gjirokastrës. Në kampin vlonjat janë të bindur se Bujar Pregja ka diçka personale me Flamurtarin, sepse sa herë është ai delegat në ndeshjet e ekipit kuqezi, gjithmonë ka dënime dhe pezullime. / Vipsport.al