Shënon Lenjani, i heq fitoren nga duart Luganos së Sadikut

Ermir Lenjani është kthyer përsëri protagonist me Sionin, duke e ndihmuar që të marrë një rezultat pozitiv dhe të qëndrojë për momentin larg zonës së ftohtë të klasifikimit. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka gjetur rrugën e rrjetës në barazimin 2-2 ndaj Luganos së Armando Sadikut, ndeshja e cila u zgjidh në mënyrë dramatike.

Lugano kaloi e para në avantazh, kur Gerndt gjeti rrjetën që në minutën e 10 të ndeshjes. Por në minutën e 25-të, Lenjani tregoi aftësitë e tij edhe si një nuhatës i portës. Pas një goditje dënimi të Adrian, portieri kundërshtar nuk kontrolloi mirë topin dhe Lenjani me shpejtësi arri të shtynte sferën në rrjetë për të vënë barazinë në shifra.

Lugano, ku Sadiku u aktivizua në minutën e 75, arriti të shënonte përsëri me Sabatinin pas një asisti të Fazliut, por kur mendohej se Lugano do të merrte një fitore në transfertë, erdhi goditja e Ndoje pas asistit të Kasamit në minutën e 94-t, për të vulosur barazimin 2-2. Ai nuk ndryshon pozitat e dy skuadrave në klasifikim, duke i mbajtur larg zonës së ftohtë, por edhe asaj të Europës. /vipsport.al/