Shehi: Fitojmë dhe ruajmë vazhdimësinë, ndeshja ndaj Laçit me rëndësi të veçantë

Pas 6 humbjesh radhazi në kampionat, Skënderbeu ka një tjetër takim të vështirë ndaj Laçit në shtëpi. Kurbinasit kanë treguar këtë sezon se janë një kockë e fortë për çdo skuadër, duke marrë pikë në fusha të vështira, megjithatë trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi ka besim se skuadra e tij do t’ia dalë në këtë ndeshje.

Në konferencën para ndeshjes, ai u shpreh se ka shumë futbollistë të rinj dhe ana psikologjike është e rënduar, ndërkohë që ka dhënë edhe detaje për formacionin që do të hedhë nesër në fushë ndaj bardhebluve.

“Përballja me Laçin? Sigurisht pas këtyre rezultateve, çdo ndeshje është e vështirë, ka koeficient të lartë vështirësie. Duhet të bëjmë maksimumin që nesër të rikthehemi te fitorja. Kemi pasur një ndeshje kupe në mesjavë dhe seancat stërvitore kanë qenë me më pak ngarkesë, sepse edhe në kupë futëm të gjithë lojtarët që vendosëm të ishin të gatshëm dhe në funksion të ndeshjes së nesërme. Është një ndeshje e vështirë, kemi punuar gjatë gjithë javës. Duhet të japim 100% për tu rikthyer te fitorja. Kjo na shërben për vazhdimësinë, për anën psikologjike, sepse shumë nga lojtarët janë të rinj dhe kjo ndikon te ata. Kështu që do të jetë një ndeshje e rëndësisë së veçantë nesër.

Lojtarët e rinj? Po t’i bësh një rezyme sezonit, na janë larguar lojtarë. Lojtarët që erdhën në janar janë duke u rritur gradualisht. Disa do jenë në fushë nesër. Kemi një skuadër të re, kemi emra të rinj, një skuadër e re në funksion të vazhdimësisë, por dhe të aktualitetit.

Problemet me gjetjen e golit? Që të fitosh një ndeshjes duhet të fitosh. Kemi provuar gjatë gjithë kohe, por nuk kemi qenë agresiv. Duhet pak dhunë sportive, më shumë egërsi. Na del për detyrë nesër që ti bëjmë të gjitha këto, sepse pa shënuar nuk fiton. Duhet të sulmojmë me forca të shumta, pa harruar dhe prapavijën që duhet të jemi të kujdesshëm.

Formacioni? Formacioni është pak i vështirë për tu zbardhur, sepse kemi dhe disa dilema. Nëse me Kastriotin mendova se do ishte një skuadër e plotë,nesër do kemi sërish mungesa për arsye dëmtimi dhe arsye familjare. Duke u bashkangjitur dhe problemet e të huajve, do mundohemi të bëjmë një përzgjedhje në funksion të ndeshjes dhe të kundërshtarit. Kështu që formacionin nuk mund të ta them sot”, u shpreh Shehi. /VipSport.al/