Seferi flet pas rinovimit me Jang Bojsin: Sa besim më jep, ende asnjë kontakt nga Kombëtarja

Pak ditë më parë, ish-sulmuesi i Shpresave, Taulant Seferi rinovoi kontratën e tij edhe për një vit me fanellën e Jang Bojsit. Kampionët në fuqi të Zvicrës, kanë menduar t’i japin besim edhe për një sezon tjetër Seferit që në kampionatin zviceran, po shënon rregullisht te Vinterthuri aty ku është i huazuar.

Në një intervistë për ‘VipSport.al’, Seferi ka folur në lidhje me këtë rinovim që ka arritur me Jang Bojsin, ndërkohë që ka pranuar se nga Kombëtarja shqiptare nuk e ka kontaktuar askush megjithëse në Zvicër është ndër më të dalluarit.

Edhe pse në shumë klube i huazuar, rinovon me një ekip si Jang Bojsi. Çfarë ndjesie të jep ky rinovim?
Normalisht, rinovimi më ka dhënë një vetëbesim të madh sepse bëhet fjalë për një klub të madh siç është Jang Bojsi dhe ky fakt të bën të ndihesh i lumtur nga fati që të ka besuar dhe natyrisht ndihem i lumtur që kam besimin e klubit për të ardhmen.

A ke pasur kontakt me drejtuesit e Young Boys gjatë kësaj kohe?
Po, gjatë gjithë kësaj kohe që unë luaj me skuadrën e Vinterthurit kam pasur kontakte të vazhdueshme dhe po më ndjekin shumë.

Kur mund të vijë dita që të luash me ekipin tënd?
Nuk mund ta them saktësisht se kur mund të vijë, por shpresoj shumë dhe me besim te Zoti, them se do të vijë shumë shpejt. Shpresoj që kjo dëshirë të realizohet.

Si e konsideron aventurën te Vinterthur deri më tani?
E konsideroj një aventurë shumë të mirë, pasi mendoj se kam bërë një gjysmë sezon të mirë jo vetëm unë, por i gjithë ekipi. Ndihem mjaft i lumtur te skuadra ku po luaj momentalisht.

Cili është objektivi yt për pjesën e mbetur të sezonit?
Për mua është e rëndësishme si fillim që së bashku me shokët e skuadrës, të arrijmë objektivat që klubi na ka vënë në fillim. Shpresoj dhe i lutem Zotit që të kem edhe unë fat dhe më e rëndësishmja është që të mos pësoj ndonjë dëmtim dhe të vazhdoj të shënoj kështu siç po shënoj tani.

Kalojmë pak te Kombëtarja, meqë po afrojnë ndeshjet. A ke pasur kontakte nga Panuçi në lidhje me një ftesë të mundshme?
Jo, deri më tani nuk kam pasur asnjëherë kontakte me mister Panuçin. Shpresoj që deri në mars, të më vijë ftesa dhe të realizoj ëndrrën time të madhe për të luajtur me fanellën dhe flamurin më të bukur.

A ke pasur kërkesa gjatë kësaj kohe nga Kosova apo Maqedonia?
Jo nuk kam pasur kontakte nga asnjë Përfaqësuese tjetër, pasi unë e kam bërë njëherë një zgjedhje dhe nuk do ta ndryshoj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/