Rrëfimi/ Keidi Bare flet pa dorashka: Debutimi me Torresin, kartoni i kuq dhe muajt më të vështirë

Keidi Bare u largua nga Atletiko Madrid gjatë merkatos së verës duke firmosur me Malagën në Ligën e Dytë spanjolle, aty ku ka arritur të kthehet tashmë në titullar dhe në një nga më të rëndësishmit e skuadrës.

Mesfushori i Kombëtares, në një rrëfim të gjatë për prestigjiozen spanjolle ‘AS’ ka folur në lidhje me të kaluarën e tij te Atletiko, kartonin e kuq të marrë me skuadrën e dytë të Atletikos apo edhe marrëdhënien me trajnerin e Malagas.

“Aventura te Malaga? Nuk e prisja. Erdha këtu që të ndihmoja skuadrën dhe jam këtu duke luajtur si titullar. Dua të falënderoj stafin teknik dhe shokët e skuadrës pasi më kanë ndihmuar gjithmonë. Çdo futbollist do të donte të ishte këtu ku jam unë.

Fillimi në Spanjë? Isha vetëm 14 vjeç dhe u testova për 4 ditë duke u stërvitur te Atletiko Madrid. Më vonë shkova në Gjerogji një javë në një turne ku isha mesfushori më i mirë. Pasi rregullova disa letra në Shqipëri, u ktheva te Aletiko Madrid ku kam kaluar 5 vite. Ishte një eksperiencë e mirë pasi u rrita me Atletikon dhe i falënderoj pas ndihem mirë që mësova shumë atje.

Debutimi me Atletikon? Ishte një ndeshje ndaj Guijuelos por nuk mund të luaja sepse kisha një karton të kuq me Atletiko Madrid B. U ndjeva shumë keq pasi udhëtova me to, megjithëse më pas debutova në kampionat ndaj Las Palmasit. Aty ishin Gabi, Fernando Torres…

Malaga? U surprizova që isha titullar ndaj Zaragozës sepse mendova se nuk do të luaja ose nuk do të thirresha fare. Në fund, kur ke një shans duhet ta shfrytëzosh dhe ishte një fitore e rëndësishme pasi vinim nga një humbje 0-3 ndaj Reus dhe njerëzit po na shtynin fort e në fund fituam.

Sherri me arbitrin dhe kartoni i kuq? Kalova 6 muajt më të tmerrshëm të jetës sime dhe jam penduar shumë pasi unë nuk jam ai lloj personi. Tani ndihem më mirë. Kur erdha këtu erdha si rezervë dhe nisa të luaja për të kapur ritmin. Tani ndihem mirë.

Takimi me arbtrin? Nuk do të doja që ajo ndeshje të kthehej prapë. Nuk do të bëj më atë gabim sepse është shumë keq për mua, për familjen time dhe për personat të cilët shohin futboll, për fëmijët. Para 2 ose 3 muajsh u takova sërish me arbitrin dhe i kërkova falje.

Ëndrrat? Me punë mund të shkosh shumë larg pasi duhet të punosh për të arritur diçka. Të gjithë futbollistët ëndërrojnë që të luajnë në La Liga.

Lidhja me trajnerët? Të gjithë trajnerët kanë qenë shumë të mirë, por Muniz, trajneri që kam tani më ka ndryshuar jetën time dhe dua të them se edhe trajneri i Atletiko B më ka ndihmuar shumë. Ai ishte si një shok, si një baba për mua. Fernandez i Atletiko Madridit ishte një shkollë shumë e mirë”, e përfundon rrëfimin e tij mesfushori Keidi Bare. /Erjon Allaraj-VipSport.al/