Rrëfimi i Marcelos: Gënjeva! Ronaldo më tregoi para finales se do të largohej

Kristiano Ronaldo dhe Marcelo kanë qenë miq shumë të ngushtë te Real Madrid dhe shpesh shoqëroheshin bashkë edhe jashtë fushës së blertë. Si rrjedhojë, nuk është aspak çudi që kur portugezi u largua drejt Juventusit, dolën në skenë edhe zëra që braziliani do ta ndiqte në Itali.

Vetë Marcelo ka pranuar se Ronaldo i kishte treguar para të tjerëve se do të largohej nga Reali, shumë para se të siguronte transferimin te Juventusi në korrik. Në një intervistë për “Esporte Interativo”, ai pranoi para gazetares Tatiana Mantovani se e kishte gënjyer në intervistat e mëparshme, pasi Ronaldo ia kishte zbuluar largimin nga Reali që para finales së Ligës së Kampioneve në Kiev.

Në një nga seancat stërvitore para finales, Ronaldo i kishte treguar Marcelos për planin e tij, pa specifikuar se në cilën skuadër do të shkonte. “Ta marrë dreqi, ne po stërviteshim për finalen dhe ai me tha ‘do të largohem’”. “Ta tha këtë para finales? Atëherë më ke gënjyer”, iu kthye gazetarja. “Po, m’u desh të të gënjeja”, pranoi Marcelo para kamerave duke qeshur. /vipsport.al/