Rezultatet në anën e Solskjaer, drejtuesit përgatisin rinovimin e kontratës por me kushte

Forma e jashtëzakonshme që po kalon Mançester Junajtid, nën drejtimin e Ole Gunar Solskjaer, duket se i ka bindur drejtuesit e “Red Devils” t’i rinovojnë kontratën teknikut norvegjez. Pas shkarkimit të Murinjos, Solskjaer u mendua si një trajner i përkohshëm deri në përfundim të sezonit duke qenë se Junajtid është prej kohësh në gjurmët e trajnerit të Totenham, Maurisio Poçetino.

Por, rezultatet në fushë flasin qartë në favor të Solskjaer. 45-vjeçari, ka zhvilluar deri më tani 11 ndeshje nga të cilat ka arritur një shifër impresionuese prej 10 fitoresh duke u ndalur vetëm në një barazim ndaj Bërnleit. Një ecuri që e ka katapultuar ekipin në vendin e 4-t të klasifikimit. Megjithatë, një moment që do të vendosë shumë për të ardhmen e norvegjezit në “Old Trafford” do të jetë edhe objektivi për të siguruar një nga katër vendet e para në kampionat në mënyrë që skuadra të kualifikohet në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm.

Ndërkohë, Junajtid është para një sfide tejet të rëndësishme në Champions League përballë PSG, teksa do të kërkojnë një rezultat pozitiv duke përfituar dhe nga dëmtimet në kampin kundërshtar. /Egi Çabeli-VipSport.al/