Përballje titanësh në Angli, Liga e Kampionëve rikthehet me finale të parakohshme

Ashtu siç tashmë është bërë zakon, mesi i muajit shkurt përkon me rikthimin e emocioneve të Ligës së Kampionëve, ku tani e mbrapa luhet faza më emocionuese duke qenë se kemi hyrë në fazën me eliminim direkt. Menjëherë Liga e Kampionëve rikthehet me takime mjaft emocionuese, pasi në fushë do të zbresin gjigandët e Europës.

Të martën, vëmendja më e madhe do të jetë në Mançester, aty ku ‘Djajtë e Kuq’ do të presin gjigandët e PSG-së. Megjithëse me një mungesë të madhe si ajo e Nejmarit, sërish pritet që ky takim të dhurojë spektakël dhe kualifikimi të vendoset vetëm pas ndeshjes së kthimit që do të luhet në Paris. Sakaq, takimi tjetër i së martës, luhet në Itali dhe është Roma e 1 mijë problemeve, ajo që pret në shtëpi Porton.

Si të martën, ashtu edhe të mërkurën do të ketë ndeshje spektakolare duke qenë se në Londër, Totenhemi provon forcën ndaj Borusia Dortmundit që aktualisht kryeson bindshëm Bundesligën. Të besuarit e Poçetinos shpresojnë të përsërisin suksesin e ndeshjeve në grupe ndaj një rivali mjaft të fortë.

Takimi tjetër i së mërkurës, është ai që luhet në Amsterdam, mes Ajaksit dhe Real Madridit. Madrilenët, që tashmë luajnë në kompeticioni e tyre të preferuar duket se i kanë lënë pas problemet dhe janë gati për të rinisur rrugëtimin në mbrojtjen e trofeut. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

E martë, 12 shkurt

21:00 Mançester Junajtid-PSG
21:00 Roma-Porto

E mërkurë, 13 shkurt

21:00 Totenhem-Borusia Dortmund
21:00 Ajaks-Real Madrid

Të martën
Të mërkurën