Panuçi tregon afrimin e radhës dhe lavdëron Asanin: Mund të na bëjë punë

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Kristian Panuçi, mendon se pas kësaj periudhe pauze, ka idetë më të qarta rreth të ardhmes së përfaqësueses. Në fjalët e tij për “Supersport”, ai ka treguar se sheh gjërat më ndryshe dhe mendon se ekipi do të jetë më ndryshe.

Me kë është tifoz në Itali
“Ruaj ende një miqësi të madhe me drejtuesit e Romës dhe kam lidhje të veçantë dhe meqë kam luajtur atje. E vështirë është që të jesh futbollist me Romën e që të bëhesh tifoz me skuadra të tjera”.

Situata e Romës
“Roma në këto vite ishte shumë konkurruese, humbi ndonjë lojtar të rëndësishëm, është në bursë e duhet të shesë. Por si në kampionatin italian, Roma është skuadër e bukur, po jep sinjale rindërtimi dhe do të jetë konkurruese në Champions”.

Si është situata e Shqipërisë
“Po rikuperojmë ndonjë lojtar, kemi pak kohë për të punuar, por pavarësisht një 2018 të shëmtuar, jam i bindur se 2019 do të jetë e mirë”.

Cilat janë ndjesitë pas pauzës
“Kjo pauzë më ka shërbyer për të reflektuar, siç e thashë pas Uellsit njoh Shqipërinë më shumë, lojtarët, kam pranuar edhe gabimet e mia që kam munduar të jap një ide në kohë të shkurtër. Jam i bindur që kemi gjetur pak ekuilibër dhe këto muaj më kanë lënë të kuptoj shumë gjëra”.

Situata e futbollistëve të veçantë
“Po rikuperojmë Sadikun, të shohim si është Roshi, kthehet Abrashi, është Çikalleshi që shënoi dy gola, po nuk shënonte më parë. Nuk jam unë që bëj listën, por vetë lojtarët. Nëse më vënë në vështirësi, më shumë zgjidhje kam dhe kjo më bën të lumtur”.

Për eksperimentet me ekipin
“Kishim thënë një vit e gjysmë më parë që do të bënim eksperimente. Më rezulton se kanë debutuar 22 lojtarë. Por kam kuptuar se ka pak kohë për të punuar me kombëtaren, duhet të punojmë shumë duke prekur më pak. Sigurisht do të luajmë futboll gjithmonë, por do ta rifillojmë nga një bazë më mbrojtëse”.

Për aktivizimin e të rinjve
“Kam përdorur shumë se kam dëshirë që të ndihmoj lëvizjen, por ekziston një listë më e ngushtë me 18-20 emra. Pastaj mund të ketë prurje, Durmishaj po bën gjithmonë gol, duhet marrë në konsideratë, kemi lojtarë në Europë që uroj të dëshirojnë të vijnë te Shqipëria. Por grupi është ai, është i bërë, pastaj nëse ka dëmtime, mungesa, do të thërrasim ndonjë tjetër”.

Për situatën e Tomas Guidara
“Situata është që kam folur me lojtarin, ka prejardhje arbëreshe dhe mund t’i bëhet pasaporta . Ai është i gatshëm të vijë, shumë i lumtur, ndaj në këtë moment ka shkëmbim dokumentesh mes lojtarit dhe FSHF. Urojmë që shpejt të mbarojnë dokumentet se është lojtar me cilësi, një lojtar krahu. Ai është i lumtur që mund të zgjedhë Shqipërinë. Në dy vite kam thirrur edhe lojtarë që më kanë thënë po, por pastaj kanë zgjedhur të përfaqësojnë vende të tjera. Prandaj para se të them se është shqiptar, dua të shoh pasaportën. Ka edhe lojtarë të tjerë, por nuk dua të them emrat”.

Për vizitën në kampionatin shqiptar
“Erdha të shoh Partizanin se është e drejtë të shoh kampionatin. Unë këtu kam Bulkun, e vij e shoh ndonjë lojtar, nëse është i aftë e marr në kombëtare. Të gjithë kanë mundësinë të vijnë, por pastaj duhet menduar se në arenën ndërkombëtare duhet të qëndrosh, uroj që këtë vit të vijë ndonjë futbollist tjetër nga Superiorja. Ka ndonjë lojtar në sulm Partizani që ka cilësi, shpejtësi, të shohim. Edhe Kastrioti luajti mirë, bëri ndeshje të mirë, i marrim të gjithë në konsideratë. Abazaj, Gavazaj, Lilaj e Guri luanin në kampionat dhe i thirra. Po ti shohim, nuk luajnë pastaj në Europë. Hapi është i lartë, duhet marrë në konsideratë. Asani kur ka topin në një kundër një është i fortë, është i aftë. Në ndeshjet e fillimit të sezonit, ndeshjet e shtatorit kur nuk janë të gjithë në formë, mund të bëjë gjëra të mira. Bën punë”.  /vipsport.al/