Panuçi shpall objektivin: Do bëjmë diçka speciale, do të ketë emra të rinj në ekip

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, po përgatitet për eliminatoret e Europianit, që nisin në muajin mars me ndeshjen me Turqinë. Italiani që drejton kuqezinjtë po mendon për listën e lojtarëve që do të grumbullojë për këtë ndeshje. Në një intervistë për “Top Channel”, ai ka folur me radhë për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me Kombëtaren.

Lajmet për lojtarët janë të ndryshme, nga mosaktivizimi i Hysajt te gjendja shumë e mirë e Gjimshitit?

Sigurisht, të mos aktivizohesh është problem. Elsi është një lojtar që punon shumë, futbollist ekspert me shumë eksperiencë dhe një djalë pozitiv. Uroj të luajë ndonjë ndeshje deri në fund të sezonit, që të paktën të jetë në gjendje për të luajtur në grumbullimin e ardhshëm. Sigurisht të luash dy ndeshje në tri ditë është edhe ai i rëndësishëm për ne. Gjithmonë jam munduar t’i ndihmoj të gjithë. Kam folur me të dhe është i kënaqur te Napoli, por një futbollist ndihet mirë kur luan. Napoli do të ketë shumë ndeshje për të luajtur, megjithatë të ardhmen e tij e di vetëm ai dhe menaxheri i tij. Më vjen mirë për Gjimshitin, që po bën paraqitje të mira tek Atalanta. Ky fakt më fut disi në dyshime, nëse do të më duhet të luaj me 3 apo me 4 mbrojtës.  Ne kemi karakteristikat për të luajtur edhe me tre mbrojtës, por do të thotë se duhet të heqim një nga sulmi. Kemi Mavrajn të skualifikuar dhe Gjimshiti është i rëndësishëm.

Kjo erë e dytë e Panuçit, pas asaj të Ligës së Kombeve, ka një tjetër objektiv?

Synimi është të bëjmë diçka speciale. Ne jemi të katërtët në grup, pas Francës, Turqisë dhe Islandës. Për të shkuar më tej, duhet të bëjmë diçka speciale dhe jam i bindur se i kemi mundësitë. Nëse do t’ia dalim, atëherë të gjithë jemi të kënaqur. Nëse nuk ia dalim dhe presidenti nuk është i kënaqur, Panuçi ikën në shtëpi.

Emri juaj u lakua disa herë gjatë javëve të fundit për oferta të ndryshme?

Nuk më ka telefonuar asnjëherë askush. Nëse nesër do të më telefonojnë Real Madrid, Paris SG, Partizani apo Kukësi, një sekondë më pas unë do të telefonoj presidentin, sepse me të kam një raport shumë korrekt. Jam shumë i kënaqur që vazhduam bashkë përpara, besoj edhe presidenti që gjithmonë më ka mbështetur dhe më ka mbrojtur. Duhet të them që nuk kam as medien pas vetes, por jam një njeri serioz dhe presidenti e di këtë. Sigurisht unë gabova, por nuk besoj që ka njeri që nuk gabon.

Ishte një sezon i çuditshëm për Mavrajn, i cili shkoi në Greqi dhe tani është u kthye në Gjermani?

Zgjedhjet e Mavrajt janë ato që ai bën vetë, unë gjithmonë kam bërë zgjedhje pa parë moshën, ku luan apo kush je dhe si e ke emrin. Besoj se e kam ndihmuar shumë, pasi ishte një vit pa luajtur dhe e grumbullova. Vendosi të kthehet në Gjermani dhe unë e shoh që aktivizohet, por për të nuk duhet të mendojmë tani, është i skualifikuar. Uroj të jetë mirë dhe të mbaj formën.

Çfarë mund të bëni ndryshe me skuadrën kombëtare?

Një muaj e gjysmë më parë pata thënë se do të bëjmë disa eksperimente dhe do të provojmë gjëra të reja. Mund të përmendim që kanë debutuar 22-23 lojtarë të rinj, por në Kombëtare mbetet shumë pak kohë për të punuar. Është e nevojshme të marrim maksimumin dhe sigurisht unë diçka duhet të ndryshoj. Eshtë faji im, sepse u mundova që t’i jap një ide kësaj skuadre, por nuk ka kohë për t’i dhënë një ide. Kemi kohë vetëm për të bërë gjërat mirë. Besoj se do të ndryshojmë diçka duke filluar që nga mënyra e stërvitjes.

Nëse do të ktheheni prapa në kohë duke parë lojtarët, a jeni i kënaqur me Shqipërinë?

Jam shumë i kënaqur që jam trajner i Shqipërisë. Sigurisht nuk jam i kënaqur për rezultatet e vitit 2018, por jam krenar që jam trajner i këtij vendi. Një gjë është e sigurt, që kur zgjodha stolin e Shqipërisë, ishte një nga stolat më të vështira në Europë. Kjo për faktin se më parë ishte kualifikuar në Europian dhe në këto kushte e merr ose një i çmendur ose një që beson. Dhe unë jam ende i bindur që kjo skuadër mund të bëjë ende shumë mirë.

A do të ketë prurje të reja në skuadër për eliminatoret 2020?

Po shohim disa emra të rinj, por jo shumë, pasi grupi bazë është. Kam ardhur këtu të shoh ndeshje të kampionatit shqiptar dhe javën tjetër do të udhëtoj nëpër Europë. Në të vërtetë grumbullimet nuk i bëj unë, por i bëjnë vetë lojtarët. Cikalleshi po bën gola, Dyrmishaj gjithashtu, Abrashi po rikthehet nga dëmtimi, po i ndjekim.

Në mars fillojnë ndeshjet kualifikuese për Euro 2020. Cili është objektivi i skuadrës sonë përfaqësuese?

Synimi është që të bëjmë diçka speciale. Ne jemi grupi i katërt, kemi përpara Turqinë, por edhe Islandën, për të shkuar më tej duhet të bëjmë diçka speciale dhe jam i bindur që kemi mundësi. Ndeshja e parë me Turqinë është shumë e rëndësishme, pasi ajo mund të na japë një tjetër ekuilibër në grup. Nga Liga e Kombeve, sado negative mund ta quaj, pati edhe një aspekt pozitiv, që më shërbeu mua për t’u njohur e për të mësuar më shumë. Preferoj të shoh aspektin pozitiv të gjërave, e shkuara nuk kthehet më. Gjëja speciale dhe objektivi është të renditemi mes dy të parave në këtë grup për t’u kualifikuar, por nuk duhet të harrojmë realitetin dhe të kuptojmë që Shqipëria është në vend të katërt në këtë grup.

Presidenti i FSHF-së të enjten u zgjodh si anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s…

Zgjedhja e presidentit të federatës në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe FSHF-në. Kjo tregon se sa po rritet Shqipëria. Ai është një njeri që e do shumë federatën dhe është një njeri shumë ambicioz. Brenda kësaj periudhe fushate më tepër ka udhëtuar ai se një agjenci udhëtimesh. E dëshironte shumë këtë post dhe e arriti, për këtë duhet të jemi të gjithë krenarë.  Në rastin tim jam krenar për një mik, sepse Duka është edhe një mik dhe jam shumë i kënaqur për të. / Vipsport.al