Panuçi në stadium për Partizanin, ja 4 emrat që ka vëzhguar

Kristian Panuçi ka qenë i pranishëm sot në stadiumin “Selman Stërmasi” për të ndjekur ndeshjen që hapi javën e 21-të të Superiores. Trajneri i përfaqësueses shqiptare, pa në veprim lojtarët e ekipit kryesues të kampionatit dhe VipSport ka mësuar se janë 4 emrat që tekniku ka vëzhguar mes të kuqve.

Një lojtar për të cilin flitet prej kohësh se mund të bëhet pjesë e përfaqësueses është Lorenc Trashi, i cili është kandidati më i mundshëm nga kampionati shqiptar për të rivalizuar për vendin e lënë bosh nga Ansi Agolli në të majtë të prapavijës. Panuçi ka parë në veprim mbrojtësin, por jo vetëm atë. Një emër që ka tërhequr vëmendjen e tij është edhe ai i Jasir Asanit, një nga elementët më të spikatur të këtij edicioni të Superiores sa i përket aftësive të tij teknike. Emri i Asanit ka qarkulluar edhe më parë në listën e preferencave të Panuçit, por deri tani nuk ka pasur hapësira për grumbullimin e tij.

Ndërkaq, pas paraqitjes së sotme, edhe emri i Bruno Telushit ka përfunduar në listën e trajnerit. Ai ka udhëzuar stafin e tij që të ndjekë me interes mesfushorin i cili shënoi një supergol, por edhe ishte një nga elementët kyç në aksionet e skuadrës së Partizanit duke treguar cilësitë që ka. Ai do të monitorohet me kujdes në vijimin e sezonit, si një kandidat potencial për t’u grumbulluar me fanellën kuqezi, ashtu si edhe emri i katërt, Esat Mala.

Për këtë të fundit kanë ardhur vazhdimisht informacione nga përfaqësuesja Shpresa se bëhet fjalë për një futbollist me shumë potencial dhe Panuçi e ka parë vetë në veprim. Por në rastin e Malës, bëhet fjalë për një lojtar i cili do të shihet se si evoluon në vijim, pasi aktualisht pritet të ketë një rol qendror në radhët e përfaqësuese Shpresa gjatë vitit 2019. /vipsport.al/